BAJRAMI kundër SHQIPËRISË

(kërkesa nr. 35853/04)

12 dhjetor 2006

 

cenimi i së drejtës së kërkuesit për nëj jetë të qetë familjare si pasojë e mos përmbushjes nga ana e shtetit e detyrimeve të tij pozitive

I. Faktet kryesore

 

1. Kërkuesi, Agim Bajrami, lindur dhe rritur në Kosovë, u martua në vitin 1993 me shtetasen shqiptare F.M. Në janar të vitit 1997 ata lindën një fëmijë, I.B. Në vitin 1998 çifti u nda dhe F.M së bashku me vajzën e saj u shpërngul në shtëpinë e prindërve të saj në Vlorë. F.M u martua për herë të dytë dhe pas ndarjes, u martua për herë të tretë, periudhë gjatë së cilës ajo udhëtonte shpesh për Greqi. Shumicën e kohës, ajo e linte vajzën në kujdesin e prindërve të saj në Vlorë. F.M dhe prindërit e saj nuk e lejonin kërkuesin të kishte kontakt me vajzën, ai u lejua ta shihte vajzën vetëm 2 herë.

 

2. Në 24 qershor 2003 kërkuesi solli procedurat e divorcit pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë dhe 2 ditë më vonë i kërkoi Policisë së Rrethit Vlorë të bllokonin pasaportën e të bijës, pasi kishte mundësi që F.M ta merrte atë me vete në Greqi. Në janar 2004 F.M e mori vajzën në Greqi. Në 4 shkurt 2003 Gjykata e Rrethit shpalli divorcin dhe i dha kërkuesit kujdestarinë e fëmijës. Të gjitha përpjekjet e kërkuesit pranë autoriteteve shqiptare për të gjetur dhe kthyer vajzën e tij në Shqipëri, së bashku me vendimin final të Gjykatës së Rrethit, ishin të pasuksesshme.

 

3. Kërkuesi u ankua përpara Gjykatës për shkelje të nenit 6 § 1 dhe 8 të KEDNJ.

 

II. Vendimi i Gjykatës

 

4. Fillimisht, Gjykata thekson natyrën pozitive që i përket shteteve kontraktuese sipas nenit 8 të Konventës. Sipas saj, shtetet duhet ti kushtojnë vëmendje të veçantë dhe të marrin masat e duhura kur bëhet fjalë për bashkimin e familjes si dhe duhet kushtuar një kujdes specifik në procedurat lidhur me rastet e rrëmbimit dhe kujdestarinë e fëmijëve, si rasti në fjalë. Në këtë raport, Gjykata është frymëzuar drejtpërdrejt nga neni 11 i Konventës së Hagës mbi Aspektet Civile të Rrëmbimit ndërkombëtar të Fëmijëve të 25 tetorit 1980.

 

A. Në lidhje me nenin 8

5. Duke u kthyer në rrethanat specifike të rastit, Gjykata shprehet se marrëdhënia e kërkuesit me të bijën ishte dëmtuar nga dështimi i autoriteteve shqiptare për të zbatuar vendimin e Gjykatës se Rrethit Vlorë që i jepte kërkuesit kujdestarinë e vajzës. Gjykata vlerëson se autoritetet nuk kanë bërë atë që duhet për të zbatuar vendimin e Gjykatës, sidomos duke pasur parasysh interesat në fjalë dhe frymën e Konventës së lartpërmendur të Hagës.

 

6. Gjykata vlerëson së, në kuadër të mosratifikimit të Konventës së Hagës, sistemi ligjor shqiptar nuk i ofroi kërkuesit ndonjë mbrojtje alternative efektive dhe praktike, e cila kërkohet nga detyrimi pozitiv i shtetit i parashikuar në nenin 8 të Konventës. Gjykata arriti në përfundimin se kishte pasur shkelje të nenit 8, ndërkohë që nuk e ka gjetur të nevojshme shqyrtimin e çështjes sipas nenit 6 § 1.