11. Në rastin në fjalë, zhdëmtimi që duhet tu jepet ankuesve nuk kufizohet vetëm
në vlerën që pronat e tyre kishin në datën e zënies së tyre nga ana e marinës nacionale.
Në vendimin e saj për të kualifikuar ndërhyrjen ndaj të cilës është ngritur ankimi,
Gjykata është bazuar kryesisht në kohëzgjatjen e zënies dhe mbi paaftësinë e
autoriteteve për vite me rradhë për t'ju dhënë të interesuarve terrenet që u ishin
premtuar në shkëmbim i atyre që u ishin zënë. Për këtë arsye, ajo ka ftuar edhe
ekspertë për të vlerësuar gjithashtu vlerën aktuale të terreneve objekt i
mosmarrëveshjes; kjo vlerë nuk varet nga kushte hipotetike, siç do të ishte rasti në
qoftë se ato do të gjendeshin edhe sot në të njëjtën gjendje siç kanë qënë në vitin
1967. Del në mënyrë të qartë nga raporti i ekspertizës që, qysh prej atëhere, terrenet e
lartpërmendura si dhe ato në afërsinë e tyre të menjëhershme - të cilat dispononin për
shkak të vendndodhjes së tyre një mundësi zhvillimi turistik - kanë qënë zhvleftësuar
për shkak të ndërtimit të ndërtesave që shërbenin si qëndra pushimi për oficerët e
marinës nacionale dhe për shkak të bërjes së punimeve të infrastrukturës për qëllimin
e mësipërm. Gjykata nuk harron nga ana tjetër që të interesuarit kishin në kohën e
shpronësimit një projekt të shfrytëzimit ekonomik të pronave të tyre, projekt i cili
kishte filluar edhe të realizohej.
12. Për pasojë, Gjykata vlerëson që kthimi i terreneve objekt i mosmarrëveshjes,
të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej 104 018 m2, - dhe të tilla siç janë përcaktuar më
1983 nga komisioni i dytë i shpronësimit të Athinës - do t'i kishte vendosur ankuesit,
për aq sa do të ishte e mundur, në një situatë të njëjtë me atë në të cilën ata do të
gjëndeshin në qoftë se nuk do të kishte patur mosrespektim të kërkesave të Nenit 1 të
Protokollit Nr. 1; dhënia e ndërtesave ekzistuese do t'i kompensonte kështu plotësisht
nga pasojat e humbjes së gëzimit të pronësisë për të cilin bëhet ankimi. Përsa i përket
zonës të pretenduar prej 7180 m2, Gjykata vë në dukje që, megjithëse duke e vlerësuar
dhe duke e konsideruar si një çështje private, ekspertët nënvizojnë që disa prej pjesëve
të kësaj zone gjëndeshin të përfshira në rajonin bregdetar dhe që do duhej t'i përkiste
në këtë rast gjykatave kompetente për tu shprehur mbi regjimin e pronësisë mbi to. Në
këto kushte, Gjykata vlerëson se nuk duhet ta marrë në konsideratë.
13. Në mungesë të proçedimit nga ana e shtetit - palë mbrojtëse, për të vënë në
jetë një restitucion të tillë brenda një afati prej gjashtë muajsh duke filluar nga data e
shpalljes së vendimit, Gjykata vendosi që shteti u detyrohet nga ana e tij të
interesuarve, për shkaktim dëmi dhe humbje të gëzimit të pronësisë qysh prej vitit
1967, vlerën aktuale të terreneve të tyre të rritur me mbi-vlerën e sjellë nga ekzistenca
e ndërtesave, si dhe me koston e ndërtimit të këtyre të fundit. Përsa i përket
përcaktimit të shumës së këtij dëmshpërblimi, dhe duke patur parasysh rëndësinë e
hendekut që ndan metodat e përllogaritjeve të përdorura për këtë qëllim nga ana e
palëve në mosmarrëveshje, Gjykata konfirmon konkluzionet e raportit të ekspertizës
për të arritur vlerësimin e saktë të dëmit të shkaktuar. Kjo shumë do të arrinte pra në 4
200 000 000 dhrahmi për terrenet dhe 1 351 000 000 dhrahmi për ndërtesat, e rritur
me 6% interes duke llogaritur nga skadimi i afatit të lartpërmendur prej gjashtë
muajsh dhe deri në derdhjen efektive të kësaj shume të interesuarve (në unanimitet).
14. Gjykata konsideron se shkelja e Konventës u ka shkaktuar ankuesve një dëm
të qartë moral, i cili rezulton nga ndjenja e pafuqisë dhe e acarimit përballë, nga njëra
anë, refuzimit të marinës kombëtare dhe e qeverive pasuese për të vënë në jetë
vendimiet e autoriteteve gjyqësore dhe administrative greke dhe, nga ana tjetër,
dështimit të tentativave të marrjes në shkëmbim të terreneve të tjera me vlerë të njëjtë.
Ajo u akordon për këtë shkak sejcilit prej ankuesve 450 000 dhrahmi, ose 6 300 000
dhrahmi në total (në unanimitet).