BELDJOUDI kundër FRANCES  
Në një vendim të dhënë më 10 shkurt 1995 në lidhje me çështjen Beldjoudi kundër  
Francës, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ishte e mendimit se masa e dëbimi  
ndaj Beldjoudi, i lindur në vendin e prindërve të tij, në atë kohë francezë, dhe i  
martuar me një franceze, ishte jo në proporcion me qëllimin e ndjekur për  
parandalimin dhe ndëshkimin e krimit, dhe për këtë arsye Gjykata vendosi se kjo  
masë përbënte shkelje të nenit 8 të Konventës që mbron të drejtën për jetë familjare.  
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES  
A. Faktet kryesore  
1. Z. Mohand Beldjoudi ka lindur në Francë më 1950, nga prindër me origjinë  
algjeriane të cilët e humbën ashtu si ai vetë, shtetësinë e tyre franceze më 1963, pas  
fitimit të pavarësisë nga ana e Algjerisë. Ai është rritur në Francë dhe ka jetuar  
gjithmonë aty, qoftë me prindërit e tij, qoftë me Znj. Martine Teychene, qytetare  
franceze, me të cilën martohet më 1970. Prindërit dhe pesë vëllezërit dhe motrat e tij  
janë që të gjithë rezidentë francezë.  
2. Më 1969, 1974, 1977 dhe 1978, ai është dënuar për shkelje të ndryshme,  
ndërmjet të cilave një vjedhje në rrethana rënduese për të cilën dënohet me tetë vjet  
heqje lirie.  
3. Në nëntor 1979, ministri i brendshëm nxjerr ndaj tij një urdhër dëbimi me  
arsyetimin se prezenca e tij në territorin francez është e një natyre të tillë që të verë  
në rrezik rendin publik francez. Në prill 1988, gjykata administrative e Versajës hedh  
poshtë padinë për anullimin e këtij urdhri, të paraqitur nga Z. Beldjoudi. Ndërkohë,  
në vitin 1986, ky i fundit kishte qënë dënuar për shkelje të tjera të shumta dhe kishte  
kërkuar, më kot, më 1983 dhe më 1984, një çertifikatë të shtetësisë franceze. Më 18  
janar 1991, Këshilli i Shtetit e dëgjon të interesuarin, i cili ka kundërshtuar vendimin  
e gjykatës administrative dhe e dënon atë me dëbim. Ky vendim i fundit nuk ishte  
ekzekutuar akoma ndërkohë që Z. Beldjoudi merr një leje qëndrimi në rajonin e Senës  
së Sipërme. Nga ana tjetër ai gjendej nën kontroll gjyqësor për shkak të akuzës për  
fshehjen e sendeve të vjedhura.  
B. Procedurat përpara Komisionit Europian të të Drejtave të Njeriut.  
4. Në kërkesën e tyre të datës 28 mars 1986 paraqitur Komisionit, Zoti dhe Zonja  
Beldjoudi pretendonin se masa e dëbimit ndaj të parit vinte në kundërshtim me disa  
Nene të Konventës: Nenin 8, për cënim të së drejtës së tyre për respektim të jetës  
private dhe familjare; Nenin 3, sepse refuzimi i mundshëm i autoriteteve algjeriane  
për t'i dhënë Z. Beldjoudi një pasaportë që ta lejonte të largohej nga Algjeria do të  
përbënte një trajtim çnjerëzor dhe degradues; Nenin 14 të kombinuar me Nenin 8, për  
diskriminim të bazuar në besimin fetar dhe në origjinën etnike të Z. Beldjoudi; Nenin  
9, për kufizim të lirisë së tyre të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; Nenin 12, për  
mosnjohje të së drejtës së tyre për tu martuar dhe për të krijuar familje.  
5. Në raportin e tij të 6 shtatorit 1990, Komisioni harton një mendim sipas të cilit  
dëbimi i Z. Beldjoudi shkelte të drejtën e tij dhe të bashkëshortes së tij për respektimin  
e së drejtës familjare sipas Nenit 8 (dymbëdhjetë vota kundër pesë vota), por se nuk  
shkelte Nenin 3 (me unanimitet), dhe që nuk ka patur as shkelje të Nenit 14 të  
kombinuar me Nenin 8 (me unanimitet) as të Neneve 9 dhe 12 (me unanimitet).  
II. PËRMBLEDHJE E VENDIMIT TË 26 MARSIT 1992 (dhomë)  
(seria A nr. 234-A)  
A. Në lidhje me nenin 8 të Konventës  
6. Sipas Gjykatës, ekzekutimi i masës së dëbimit do të përbënte një ndërhyrje të  
një autoriteti publik në ushtrimin e së drejtës së kërkuesve për t'iu respektuar jeta e  
tyre familjare, e drejtë e garantuar nga ana e paragrafit 1 të Nenit 8.  
7. Duhet parë pra nëse dëbimi objekt i mosmarrëveshjes i përmbushte apo jo  
kushtet e paragrafit 2 të të njëjtit Nen.  
Baza ligjore e ndërhyrjes qëndron, pa asnjë kundërshtim, në Nenin 23 të  
urdhëresës të 2 nëntorit 1945 në lidhje me kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të të  
huajve në Francë.  
Ndërhyrja në fjalë ka synuar të arrijë qëllime plotësisht të pajtueshme me  
Konventën: respektimin e urdhëresës dhe parandalimin e veprave penale.  
Përsa i përket nevojës në një shoqëri demokratike, e kaluara penale e Z. Beldjoudi  
paraqitej shumë më e rënduar se ajo e Z. Moustaquim. Gjykata kërkon pra, nëse  
rrethanat e tjera të çështjes - të përbashkëta për të dy kërkuesit ose të veçanta për  
ndonjërin prej tyre - mjaftonin që të kompensonin këtë të dhënë të një rëndësie të  
konsiderueshme.  
Patur parasysh moshën e kërkuesve si dhe mungesën e fëmijëve në ngarkesë të  
tyre, ndërhyrja objekt i gjykimit prek në radhë të parë jetën e tyre familjare si  
bashkëshortë. Ata janë martuar në Francë, tanimë që prej njëzet vjetësh, dhe kanë  
patur gjithmonë po aty banesën e tyre bashkëshortore. Periudhat e heqjes së lirisë së  
Z. Beldjoudi nuk e kanë ndërprerë jetën e tyre familjare, e cila edhe mbrohet nga ana  
e Nenit 8.  
Subjekt i drejtpërdrejtë i dëbimit, Z. Beldjoudi ka lindur në Francë nga prindër që  
në kohën e lindjes së tij kanë patur shtetësi franceze, po ashtu si vetë ai, deri më 1  
janar 1963. Ai i ka dhënë rrugë, një vit pas dënimit të tij të parë dhe nëntë vjet përpara  
marrjes së vendimit të dëbimit, përpjekjeve për të rimarrë shtetësinë e lartpërmendur.  
Në radhë të dytë, ai është martuar me një dhtetase franceze, dhe të gjithë familjarët e  
tij kanë patur gjatë një kohe të caktuar shtetësinë franceze dhe kanë banuar në Francë  
që prej disa dhjetëra vjetësh. Së fundi, ai ka kaluar në Francë të gjithë jetën e tij, do të  
thotë më shumë se dyzet vjet, ka ndjekur arsimimin në frëngjisht nuk duket ta njohë  
gjuhën arabe; ai nuk duket të ketë me Algjerinë lidhje të tjera përveç asaj të shtetësisë.  
Përsa i përket Znj. Beldjoudi, e lindur në Francë nga prindër francezë, ajo ka  
banuar gjithmonë aty dhe ka shtetësinë franceze. Në qoftë se ajo do të ndiqte  
bashkëshortin e saj ajo do të duhej të vendosej në një vend të huaj, pa dyshim në  
Algjeri, shtet gjuhen e së cilit ajo mund të mos e dijë. Një zhvendosje e tillë do të  
mund t'i shkaktonte vështirësi të mëdha përshtatjeje dhe vënien përballë pengesave  
reale praktike dhe deri juridike.  
8. Nga ky argumentim del pra në pah, se vendimi për të dëbuar Z. Beldjoudi, në  
qoftë se do të gjente ekzekutim, nuk do të ishte në proporcion me qëllimin legjitim që  
ai ndjek dhe do të shkelte pra Nenin 8 (shtatë vota kundër dy).  
9. Një përfundim i njëjtë e çliron Gjykatën nga detyrimi për të vlerësuar nëse  
dëbimi shkel gjithashtu të drejtën e të interesuarve për respektim të së drejtës së tyre  
për jetë private.  
B. Në lidhje me nenin 14 të Konventës  
10. Parë konstatimin e shkeljes të Nenit 8, Gjykata nuk e çmon të nevojshme të  
studiojë në vazhdim edhe pretendimin e diskriminimit, të bazuar në Nenin 14, në  
lidhje me gëzimin e së drejtës së kërkuesve për respektim të jetës së tyre familjare  
(tetë vota kundër një).  
C. Në lidhje me nenet e tjera të Konventës  
11. Pretendimet në lidhje me Nenet 3, 9 dhe 12 duke qënë se nuk u referuan  
përsëri përpara saj, nuk çmohen nga Gjykata se duhet të merren në konsideratë ex  
ufficio (tetë vota kundër një).  
12. Kërkuesit pretendonin 10 000 000 FF për shkaktim dëmi moral. Gjykata  
pranon se ata duhet të kishin pësuar një dëm moral, por ajo gjykon se ky është  
kompensuar në mënyrë të mjaftueshme nga vendimi i saj (me unanimitet).  
Në lidhje me shpenzimet dhe detyrimet financiare të përballuara gjatë proçedurës  
para organeve të Konventës, ajo e gjen me vend të akordojë 60 000 FF (me  
unanimitet).