ALLENET DE RIBEMONT kundër FRANCËS  
Vendim i 10 shkurtit 1995  
PËRMBLEDHJE JOZYRTARE DHE HISTORIKU I ÇËSHTJES  
A
Faktet kryesore  
Pas vrasjes së ish-ministrit dhe deputetit të departamentit të Eure, Z. Jean de Broglie më  
24 dhjetor 1976, Ministri i Brendshëm, Z. Michel Poniatowski, i ndihmuar nga Drejtori i  
Departamentit të Hetimeve Penale, Z. Jean Ducret, si dhe nga Shefi i Skuadrës Penale, Z.  
Pierre Ottavioli, mbajti një konferencë shtypi më 29 dhjetor 1976 gjatë së cilës ai  
përmendi emrin e Zotit Allenet de Ribemont që u arrestua po atë ditë. Kërkuesi u akuzua  
se kishte ndihmuar dhe nxitur një vrasje me paramendim dhe më 14 janar 1977 ai u  
vendos nën mbikqyrje. Ai u lirua më 1 mars 1977 dhe gjyqtari hetues më në fund  
vendosi, më 21 mars 1980, se nuk kishte bazë për ta ndjekur çështjen.  
Kërkuesi vlerësoi se ai u akuzua publikisht nga Ministri i Brendshëm sikur ishte nxitësi i  
vrasjes dhe ai iu drejtua, por pa sukses, Kryeministrit duke kërkuar kompensim për dëmin  
material dhe jomaterial që iu shkaktua nga artikujt e shtypit që përshkruan konferencën e  
shtypit të 29 dhjetorit 1976.  
Më tej ai u bëri të njëjtën kërkesë gjykatave administrative (më 20 shtator 1977) dhe  
pastaj edhe gjykatave të zakonshme (më 29 shkurt 1984). Pas proçedurash që zgjatën  
pesë vjet e tetë muaj, gjykatat administrative (Gjykata Administrative e Parisit dhe  
Conceil d'Etat) vendosën se ato nuk kishin juridiksion për ta shqyrtuar kërkesën. Gjykatat  
e zakonshme (Gjykata e instancës së lartë të Parisit, Gjykata e Apelit e Parisit dhe  
Gjykata e Kasacionit) u shprehën kundër kërkuesit duke thënë se provat ishin të  
pamjaftueshme pas proçedurave që zgjatën katër vjet e nëntë muaj dhe mbaruan më 30  
nëntor 1988.  
B.  
Proçedura përpara Komisionit Europian të të Drejtave të Njeriut  
Kërkesa iu paraqit Komisionit në 24 maj 1989; ajo u deklarua e pranueshme më 8 shkurt  
1993.  
Në raportin e tij të 12 tetorit 1993 Komisioni shqyrtoi faktet e këtij rasti dhe shprehu  
njëzëri mendimin se kishte patur shkelje të Nenit 6 §§§1 dhe 2. Komisioni ia përcolli  
çështjen Gjykatës më 21 Janar 1994.  
PJESË NGA VENDIMI  
NË BAZË TË SË DREJTËS  
I. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TË NENIT 6§ 2 TE KONVENTES  
31.  
Zoti Allenet de Ribemont ankohej për fjalët që u thanë kundër tij nga Ministri i  
Brendshëm dhe nga zyrtarët e lartë të policisë që e shoqëronin atë në konferencën e  
shtypit të 29 dhjetorit 1976. Ai i referohet Nenit 6§ 2 i Konventës i cili thotë:  
"Çdo person që akuzohet për një vepër penale prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij  
të provohet në bazë të ligjit.  
A.  
Mbi zbatueshmërinë e Nenit 6§ 2  
32.  
Qeveria kundërshtoi, në thelb, mundësinë e zbatimit të Nenit 6§ 2 duke iu referuar  
vendimit lidhur me rastin Minelli kundër Zvicrës, dt. 25 mars 1983 (Seria A, nr. 62). Ajo  
u shpreh se prezumimi i pafajësisë mund të shkelet vetëm nga një organ gjyqësor dhe  
mund të ndodhë vetëm tëherë kur pas një proçesi që mbaron me një vendim fajësie,  
arsyetimi i gjyqtarit lejon të supozohet se ai e konsideronte paraprakisht të pandehurin  
fajtor.  
33.  
Komisioni është dakord se parimi i prezumimit të pafajësisë është para së gjithash  
një garanci me karakter proçedurial në fushën penale, por pohon po ashtu, se ai një objekt  
më të gjerë, pasi ai e vë detyrimin jo vetëm mbi gjykatat penale që përcaktojnë akuzën  
por edhe mbi organet e tjera.  
34.  
Gjykatës i kërkohet të përcaktojë nëse situata e krijuar në këtë rast ka cënuar të  
drejtën që Neni 6§ 2 i garanton kërkuesit (shih mutatis mutandis, vendimi Sekanina  
kundër Austrisë, dt. 25 gusht 1993, Seria A, nr. 266-A, f.13, §22).  
35. Prezumimi i pafajësisë i parashikuar në paragrafin 2 të Nenit 6 është një ndër  
elementët e një proçesi penal të drejtë siç kërkohet nga paragrafi 1 (shih veçanërisht  
vendimin Deweer kundër Belgjikës, dt.27 shkurt 1980, seria A, nr.35, f.30, §56, si dhe  
vendimin Minelli të lartëpërmëndur, f.15, §27). Ky parim shkelet në qoftë se një venddim  
gjyqësor lidhur me një person të akuzuar për kryerjen e një vepre penale pasqyron një  
mendim paraprak se ai është fajtor kur fajësia e tij nuk është provuar ende në bazë të  
ligjit. Madje edhe nëse nuk ka ende një konstatim formal, ka shkelje edhe kur gjatë  
arsyetimit del se gjyqtari e konsideron të pandehurin fajtor (vendimi Minelli i  
lartpërmëndur, f.18, §37).  
Megjithatë, fusha e zbatimit të Nenit 6 § 2 nuk kufizohet me hipotezën që bën Qeveria.  
Gjykata në fakt ka konstatuar se ka patur shkelje të kësaj dispozite edhe në çështjet  
Minelli e Sekanina të përmëndura më lart, ndonëse gjykatat kombëtare përkatëse i patën  
mbyllur proçeset, në rastin e pparë sepse çështja ishte parashkruar dhe në rastin e dytë  
sepse i interesuari kishte marrë pafajsinë. Gjykata, po ashtu, ka pranuar zbatueshmërinë e  
këtij parimi edhe në çështje të tjera kur gjykatave kombëtare nuk u duhej të vendosnin  
mbi fajësinë (shih vendimin Adolf kundër Austrisë, dt. 26 mars 1982, seria A, nr. 49 dhe  
vendimet Lutz, Engelrt dhe Nolkenbockhoff kundër Gjermanisë, dt.25 gusht 1987, Seria  
A, nr. 123-A, 123-B, 123-C).  
Për më tepër, Gjykata ripohon, veç asaj, se Konventa duhet të interpretohet në mënyrë të  
tillë që të garantojë të drejta konkrete dhe efektive dhe jo teorike e të rreme (shih,  
ndërmje të tjerash, vendimet Artico kundër Italisë, dt. 13 maj 1980, seria A, nr. 37, f.16 §  
33, Soering kundër Mbretërisë së Bashkuuar, dt.7 korrik 1989, seria A, nr.161, f.34, §37,  
dhe Cruz Varas e të tjerë kundër Suedisë, dt.20 mars 1991, seria A, nr.201, f.36, §99).  
Kjo vlen edhe për të drejtën e parashikuar nga Neni 6 paragrafi 32.  
36.  
Gjykata mendon se prezumimi i pafajësisë mund të shkelet jo vetëm nga një  
gjyqtarose një gjykatë por edhe nga autoritete të tjera publike.  
37.  
Në kohën e konferencës së shtypit të 29 dhjetorit të 1976, z. Allenet de Ribemont  
sapo ishte arrestuar nga policia (paragrafi 9 më lart). Ndonëse ai nuk ishte akuzuar ende  
për bashkëpunim në vrasje me paramendim (paragrafi 12 më lart), ndalimi dhe mbajtja e  
tij nën mbikqyrje nga policia ishin pjesë e hetimit gjyqësor që kishte filluar disa ditë më  
parë nga një gjyqtar hetues i Parisit dhe kjo e bënte atë një person "të akuzuar" në bazë të  
Nenit 6 paragrafi 2. Të dy funksionarët e lartë të policisë ishin ngarkuar me hetimin  
gjyqësor. Vërejtjet e tyre, të dhëna në të njëjtën kohë me hetimin gjyqësor dhe që u  
mbështetën nga Ministri i Brendshëm, shpjegoheshin me faktin se kishte filluar hetimi  
dhe ato kishin lidhje të drejtëpërdrejtëë me të. Pra, Neni 6, paragrafi 2 zbatohet në këtë  
rast.  
B.  
1.  
Mbi respektimin e Nenit 6 § 2  
Përmëndja e çështjes gjatë konferencës së shtypit.  
38.  
Liria e shprehjes, e garantuar nga Neni 10 i Konventës, përfshin të drejtën për të  
marrë ose për të dhënë informacion. Për këtë arsye, Neni 6 § 2 nuk mund të pengonte  
autoritetet që të informonin publikun mbi hetime penale në zhvillim e sipër, por ai kërkon  
që ato ta bëjnë atë me të gjithë kujdesin dhe rezervën që kërkon respektimi i prezumimit  
të pafajësisë.  
2.  
Përmbajtja e deklaratave të kundërshtuara  
39.  
Ashtu si dhe kërkuesi, Komisioni i quan të papajtueshme me prezumimin e  
pafajësisë fjalët e Ministrit të Brendshëm dhe, në prani të tij dhe nën autoritetin e tij, nga  
komisari i ngarkuar me hetimin dhe nga Drejtori i Departamentit të Hetimit Penal.  
Komisioni vëren në fakt se ata e paraqitën zotin Allenet de Ribemont si një nga nxitësit e  
vrasjes së Zotit de Broglie.  
40.  
Sipas Qeverisë ato vërejtje u bënë në kuadrin e informacionit mbi çështjet penale  
në zhvillim e sipër dhe ato nuk ishin të tilla që të cënonin prezumimin e pafajësisë sepse  
ato nuk janë të detyrueshme për gjyqtarët dhe mund të përgënjeshtrohen nga hetimet e  
mëtejshme. Faktet e këtij rasti e vërtetojnë këtë tezë sepse kërkuesi u akuzua formalisht  
vetëm dy javë pas konferencës së shtypit dhe gjyqtari hetues vendosi se nuk kishte fakte  
për të vazhduar shqyrtimin e çështjes.  
41.  
Gjykata konstaton se në këtë rast disa nga funksionarët kryesorë të policisë  
franceze e quajtën zotin Allenet de Ribemont, pa asnjë kujdes dhe pa rezervë, si një nga  
nxitësit dhe si një bashkëpunëtor në një vrasje (paragrafi 11 më lart). S'ka dyshim se kjo  
ishte një deklaratë që e bënte fajtor kërkuesin që, së pari shtynte publikun ta besonte këtë  
dhe, së dyti, se paragjykonte vlerësimin e fakteve nga ana e gjyqtarëve kompetentë. Për  
rrjedhojë, ka patur një shkelje të Nenit 6 § 2.  
II. MBI SHKELJEN E PRETENDUAR TE NENIT 6§ 1 TE KONVENTES  
42.  
Zoti Allente de Ribemont ankohet, po ashtu, për kohëzgjatjen e proçedurave për  
kompensim që ai filloi përpara juridiksioneve administrative dhe pastaj gjyqësore. Ai i  
referohet Nenit 6§ 1 të Konventës, i cili thotë:  
"Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të shqyrtohet (...) brënda një afati të arsyeshëm  
nga një gjykatë (...) që duhet të vendosë lidhur me të drejtat dhe detyrimet me karakter  
civil (...).  
43.  
Zbatueshmëria e Nenit 6 § 1 nuk u vu në diskutim. Njësoj si Komisioni, Gjykata  
konstaton se proçedurat e përmendura kishin të bënin me kërkesat për dëmshpërblim për  
nderin e cënuar që kërkuesi pretendonte se kishte pësuar për shkak të deklaratave të  
kontestuara. Qëllimi i këtyre proçedurave ishte që të vendosnin për një të drejtë civile në  
kuptimin e Nenit 6 § 1.  
A.  
Periudha që duhet marrë në shqyrtim  
44.  
Fundi i periudhës që duhet marrë në shqyrtim nuk u vu në diskutim; proçedurat  
mbaruan më 30 Nëntor 1988 kur Gjykata e Kasacionit e hodhi poshtë apelin e kërkuesit  
kundër vendimit të gjykatës së Apelit të Parisit të 21 tetorit 1987 (paragrafi 26 më lart).  
45.  
Nuk është e njëjta gjë që për pikënisjen e kësaj periudhe.  
Sipas Qeverisë proçedura përpara gjykatave administrative nuk mund të llogaritet. Ato  
nuk kishin marrë ndonjë vendim mbi thelbin e çështjes dhe kishin mohuar kompetencën e  
tyre në zbatim të parimit të ndarjes së organeve administrative dhe gjyqësore që i gjykatat  
administratrive të mos pranojnë argumentat që ato nuk mund t’i administrojnë pa  
ndërhyrë në punën e gjykatave të zakonshme. Avokatët e zotit Allenet de Ribemont nuk  
mund të mos e dinin një parim të tillë.  
Kërkuesi, nga ana e tij, thotë se proçedura filloi me kërkesën në Gjykatën Administrative  
të Parisit dhe, për shkak të konfliktit të kompetencave, proçedurat në gjykatat e  
zakonshme ishin një vazhdim i domosdoshëm i çështjes në gjykatat administrative. Ai  
shton, po ashtu, se kompetenca e juridiksioneve administrative dukej aq e natyrshme saqë  
kryeministri e kundërshtoi atë të kompetencave të zakonshme dhe e shtroi çështjen në  
Gjykatën e instancës së lartë të Parisit (tribunal de grande instance).  
46.  
Si edhe Komisioni, Gjykata e pranon tezën e kërkuesit. Ajo vëren se çështja e  
ndarjes së kompetencave midis juridiksioneve administrative dhe gjyqësore duket se  
është mjaft komplekse dhe delikate në çështjet që kanë të bëjnë me dëmshpërblime,  
sidomos në një rast si ky për shkak të shprehjeve të një anëtari të Qeverisë. Kështu nuk  
mund të qortohen avokatët e Z. Allenet de Ribemont që iu drejtuan në radhë të parë  
gjykatave administrative.  
Periudha që duhet marrë në shqyrtim për të parë nëse kohëzgjatja e proçedurave ka qënë  
e arsyeshme fillon kështu më 23 mars 1977, kur kërkesa iu paraqit Kryeministrit  
(paragrafi 13 më lart- shih midis të tjera vendimin Karakaya kundër Francës, dt. 26 gusht  
1994, seia A, nr.289-B, f.42, §29) dhe shkon rreth në 11 vjet e tetë muaj.  
B.  
Karakteri i arsyeshëm i kohëzgjatjes së një proçedure  
47.  
Karakteri i arsyeshëm i kohëzgjatjes së një proçedure duhet të përcaktohet sipas  
rrethanave të rastit dhe duke marrë parasysh kriteret që ka ndjekur jurisprudenca e  
Gjykatës, në mënyrë të veçantë duhen parë kompleksiteti i çështjes, mënyra e veprimit të  
kërkuesit dhe mënyra e veprimit të autoriteteve kompetente (shih midis të tjerash  
vendimin Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, dt.27 tetor 1994, seria A, nr. 293-B,  
f.37-38, §51). Për këtë pikë të fundit, duhet të merret parasysh rëndësia që ka kjo çështje  
për të interesuarin. (shih veçanërisht vendimin Hokkanen kundër Finlandës, dt. 23 shtator  
1994, seria A, nr. 299-A, f.25, §69).  
1.  
Kompleksiteti i çështjes  
48.  
Komisioni, mendimit të të cilit i referohet Z. Allenet de Ribemont, pranon se  
proçedura e filluar nga ky i fundit, kishte në vetvete njëfarë karakteri kompleks përderisa  
ajo kishte të bënte me përgjegjësinë e Shtetit.  
49.  
Sipas Qeverisë, në këtë rast shtrohej veç asaj edhe çështja delikate e të provuarit  
se shprehjet e përdorura ishin fyese dhe se ato i shkaktuan kërkuesit dëmin që ai  
pretendon. Këtyre duhet t'u shtoheshin edhe vështirësitë me karakter proçeduarial në të  
cilat ka ndihmuaar edhe vetë kërkuesi.  
50.  
Gjykata mendon se edhe nëse çështja ka qënë komplekse për shkak të rrethanave  
të përmendura, një situatë e tillë nuk mund të përligjte tërësisht zgjatjen e proçedurës  
kontestuese.  
2.  
Mënyra e veprimit e kërkuesit.  
51.  
Z. Allenet de Ribemont pretendon se ai nuk është përgjegjës për ngadalësinë e  
proçedurës.  
52.  
Qeveria mendon, përkundrazi, se i interesuari ka pjesën e vet në zgjatjen e  
proçedurës për gati 6 vjet. Sipas saj, ai priti 11 muaj për t'iu përgjigjur parashtresave të  
Ministrit të Kulturës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme përpara Gjykatës  
Administrative, veproi 7 muaj pas regjistrimit të kërkesës së tij duke paraqitur  
parshtresën e tij të hollësishme në Këshillin e Shtetit (Conseil d'Etat), priti 9 muaj pas  
vendimit të Këshillit të Shtetit që e hodhi poshtë kërkesën e tij pastaj iu drejtua gjykatave  
të zakonshme dhe e paraqiti më në fund kërkesën e tij në gjykatën e Apelit pas 10  
muajsh. Ai u bë po ashtu shkak për një vonesë prej tre muajsh kur kërkoi shtyrjen e  
shqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Apelit.  
Veç asaj, duke mos iu drejtuar menjëherë gjykatave civile pasi Gjykata Administrative e  
Parisit vendosi se nuk ishte kompetente sipas së drejtës franceze, kërkuesi u bë shkak për  
zgjatjen e proçedurave për afro dy vjet e shtatë muaj (d.m.th. koha midis vendimit të  
gjykatës administrative të Parisit dhe vendimiittë Këshillit të Shtetit.  
53.  
Ashtu si Komisioni, edhe Gjykata mendon se mënyra e veprimit nga ana e z.  
Allenete de Ribemont i ka zgjatur deri diku proçedurat.  
Ajo ka vënë në dukje se, duke marrë parasysh vështirësinë e përcaktimit me saktësi se  
cilat gjykata ishin kompetente në këtë rast, kërkuesi nuk mund të qortohet për faktin se ai  
ju drejtua së pari gjykatave administrative (paragrafi 46 më lart). Kjo është e vërtetë jo  
vetëm për faktin se ai iu drejtua gjykatës së shkallës së parë, por edhe për atë që ai iu  
drejtua Gjykatës së Apelit në vazhdim të kësaj proçedure, kështu që përgjegjësia për  
kohëzgjatjen prej dy vjetësh dhe shtatë muajsh midis vendimit të Gjykatës Administrative  
të Parisit (13 tetor 1980) dhe vendimit të Këshillit të Shtetit (27 maj 1983) nuk mund t'i  
ngarkohet vetëm zotit Allenet de Ribemont.  
Kështu që, edhe po të supozohet se kërkuesi mund të quhet përgjegjës për një vonesë prej  
tre vjetësh e katër muajsh do të mbeteshin afro tetë vjet të tjera.  
3. Mënyra e veprimit të autoriteteve kombëtare.  
54.  
Z. Allenet de Ribemont i kërkoi Komisionit të shprehte mendimin e tij lidhur me  
mënyrën e veprimit të autoriteteve kombëtare. Por me atë rast ai theksoi se refuzimi i  
këtyre autoriteteve për t'i dhënë atij regjistrimin në video që do t'i lejonte të përligjte  
pretendimet e tij ka ndihmuar në zgjatjen e proçedurave.  
55.  
Sipas Qeverisë këto organe vepruan në një mënyrë që do ta shpejtonte  
proçedurën. Veçanërisht përpara gjykatës së Apelit të Parisit, gjyqtari i ngarkuar me  
përgatitjen e çështjes për gjykim e ka lajmëruar disa herë kërkuesin për të paraqitur  
përfundimet e tij që ai po i vononte. Veç asaj, të vetmet periudha mosveprimi për të cilat  
Komisioni ua vë fajin autoriteteve i përkasin proçedurës përpara gjykatave administrative  
dhe ato nuk u morën parasysh.  
56.  
Ashti si Komisioni, edhe Gjykata vëren se ka pasur disa periudha mosveprimi për  
të cilat janë përgjegjëse autoritetet kombëtare. E para prej këtyre, gjatë proçedurave në  
Gjykatën Administrative të Parisit vazhdoi tetë muaj midis paraqitjes së një parashtrese  
nga Z. Allenet de Ribemont (24 maj 1978) dhe përcjelljes së dosjes së proçedurës  
Ministrit të Kulturës (23 janar 1979)(paragrafi 14 më lart). Një periudhë tjetër, përpara  
Këshillit të Shtetit ka zgjatur nëntë muaj e dy jave midis paraqitjes së një parashtrese  
plotësuese të kërkuesit (1 korrik 1981) dhe përgjigjes së Ministrit të Punëve të  
Brendshme (13 prill 1982) (paragrafi 16 më lart). Veç kësaj gjatë proçedurës në gjykatën  
e instancës së lartë, Kryeministri dhe Agjenti Gjyqësor i Qeverisë nuk i ksihin paraqitur  
pretendimet e tyre deri përkatesisht shtatë dhe gjashtë muaj pas fillimit të proçesit kundër  
tyre. (shih paragrafin 18 më lart).  
Veç asaj, autoritetet administrative dhe gjyqësore kanë penguar vazhdimisht prodhimin e  
regjistrimit në video që duhet t'i kishte dhënë mundësi z. Allenet de Ribemont të provonte  
çka ishte thënë në konferencën e shtypit; organet administrative bënë disa hapa që e  
vonuan proçedurën, si p.sh., përcjellja e dosjes Ministrit të Kulturës dhe nuk e riprodhuan  
këtë regjistrim që ndodhej megjithatë në duart e tyre, kurse organet gjyqësore nuk  
pranuan të ndërhynin për këtë në një kohë kur kërkuesi nuk mudn ta siguronte atë vetëm  
me mjetet e tij. Gjykata nuk dyshon se ky është shkaku kryesor i ngadalësisë së  
proçedurës.  
Përsa i përket veçanërisht mënyrës se si vepruan gjykatat në këtë rast, Gjykata konstaton  
se gjykatave administrative iu është dashur jo më pak se pesë vjet e tetë muaj për ta  
deklaruar veten jo kompetente dhe ndonëse gjyqtari i ngarkuar me përgatitjen e çështjes  
për gjykim në Gjykatën e Apelit bëri me të vërtetë një përpjekje për ta shpejtuar  
proçedurën, nuk del prej dosjes që ndonjë gjyqtar ka bërë të njëjtën gjë në gjykatat e tjera  
të zakonshme.  
C.  
Përfundim.  
57.  
Karakteri kompleks i këtij rasti dhe mënyra e veprimit të kërkuesit nuk janë në  
vetvete të mjaftueshme për të shpjeguar kohëzgjatjen e proçedurës. Vonesat e  
përgjithshme kanë ardhur kryesisht nga qëndrimi i organeve kombëtare, veçanërisht nga  
refuzimi i tyre për të pranuar kërkesat e zotit Allenet de Ribemont për riprodhimin  
elementit kryesor të provës. Duke patur parasysh rëndësinë që kishte kjo çështje për  
kërkuesin, dhe ndonëse proçeduurat në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Kasacionit,  
të marra veç e veç, nuk duken të kenë qënë tejet të zgjatura, një kohëzgjatje totale prej  
afro 11 vjetësh e 8 muajsh nuk mund të konsiderohet e arsyeshme. Për pasojë ka patur  
shkelje të Nenit 6 § 1.  
III. ZBATIMI I NENIT 50 TË KONVENTËS  
58.  
Neni 50 thotë:  
"Kur gjykata konsideron se një vendim ose nnjë masë e marrë nga një autoritetlegal ose  
çdo autoritet tjetër të një Pale Kontraktuese është tërësisht ose pjesërisht në kundërshtim  
me detyrimet që rrjedhin nga Konventa, dhe në qoftë se e drejta e brëndshme e kësaj Pale  
nuk lejon që pasojat e kësaj mase të ndreqen plotësisht, me vendim të Gjykatës i jepet  
palës së cënuar, kur është e nevojshme, një satisfaksion i drejtë.  
A.  
Dëmi  
59.  
Z. Allenet de Ribemont kërkon, para së gjithash, shpërblimin e një dëmi material.  
Deklaratat e kontestuara sipas tij shkaktuan rrënimin e tij financiar dhe e bënë të  
pamundur për të që të gjente punë përsëri. Banka e tij i ndërpreu veprimet e kreditimit  
dhe prapësoi pagimin e çeqeve të nënshkruara prej tij. Më 14 mars 1979 kur shpalli  
zgjidhjen e kontratës që lidhte kërkuesi me Z. De Broglie, gjykata e instancës së lartë të  
Parisit urdhëroi pagimin e menjëhershëm të një pjese të shumave që kërkuesi detyrohej të  
derdhte dhe përcaktoi ineresat ligjore të pagueshme që nga data e vdekjes së Z. de  
Broglie, kështu që i pari u detyrohet një shumë relativisht të madhe trashëgimtarëve të të  
dytit. Së fundi, në kohën kur restoranti "Rôtisserie de la Reine Pédauque" u vu në  
likuidim, më 7 shkurt 1977, kërkuesi isht në burg me akuzën e ashkëpunimit dhe nxitjes  
në vrasje.  
Kërkuesi ankohet, po ashtu, edhe për faktin se është cënuar nderi i tij dhe ai i të  
afërmve të tij; kjo i ka shkaktuar atij dëm jo material, që ishte i konsiderueshëm -për  
shkak të rrehtanave në ë cilat u bënë deklaratat, statusi i atyre që i bënë ato dhe faktit që  
Z. de Brogliëe ishte një figurë ndërkombëtare e njohur – dhe së fundi, pavarëisht nga  
urdhri i lirimit i lëshuar në 21 mars 1980.  
Z. Allenet de Ribemont e vlerëson në tërësi dëmin që i është bërë në 10 milion franga  
franceze.  
60.  
Sipas Qeverisë, kërkuesi nuk përcakton asnjë lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore  
midis shkeljes së pretenduar të Nenit 6 § 2 dhe keqësimit të situatës së tij financiare.  
Përsa i përket dëmit jomaterial, Qeveria është e mendimit se vetë konstatimi i një  
shkeljeje të Konventës do të ishte një dëmshpërblim i drejtë dhe i mjaftueshëm.  
61.  
Delegati i Komisionit konsideroi se ishin shumë pak të përligjura shumat e  
kërkuara nga i interesuari për dëmin material, në mungesë të cdo lidhjeje ndërmjet  
deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe funksionarëve të lartë. Por nga ana  
tjetër ai mendon se akuzat tepër të rënda dhe refuzimi i vazhdueshëm i autoriteteve  
kombëtare për t'i dhënë regjistrimin audiovizual të konferencës së shtypit i kanë  
shkaktuar atij një dëm moral që kërkon shumë më tepër se një dëmshpërblim simbolik.  
Përsa i përket vlerësimit të dëmit të pësuar nga zgjatja e tepruar e proçedurës, delegati ia  
beson këtë çështje vlerësimit të Gjykatës.  
62.  
Gjykata nuk bashkohet me arsyetimin e z. Allenet de Ribemont lidhur me dëmin  
material. Megjithatë, ajo mendon se akuzat e rënda të bëra kundër tij gjatë konferencës së  
shtypit të 29 dhjetorit 1976 e ulën sigurisht besimin që kishin tek ai njerëzit me të cilët ai  
kishte lidhje biznesi, dhe për pasojë u bënë pengesë për ushtrimin e profesionit të tij.  
Rrjedhimisht, ajo e quan të bazuar pjesërisht kërkesën për shpërblimin e dëmit material.  
Veç kësaj, Gjykata, si edhe Delegati i Komisionit, konstaton se kërkuesi ka pësuar një  
dëm jomaterial të pamohueshëm për shkak të shkeljes së Nenit 6 § 1 dhe sidomos të  
Nenit 6 § 2. Personaliteti i Z. de Broglie, rrethanat e vdekjes së tij dhe emocioni që ajo  
ngjalli flisnin në favor të një informimi të shpejtë të publikut, për pasojë mund të  
parashikohej se mediat do t'i kushtonin vëmëndje të madhe deklaratave mbi hetimet në  
zhvillim. Nuk u tregua vetëpërmbajtje dhe rezervë kundrejt kërkuesit dhe kjo duhet  
kritikuar. Për më tepër, deklaratat e lartpërmëndura patën në fakt një jehonë të  
konsiderueshme, brenda dhe jashtë kufijve të Francës.  
Duke marrë parsysh elementët e ndryshëm të këtij rasti dhe duke vendosur në baza  
paanësie, siç parashikohet nga Neni 50, Gjykata i cakton z. Allenet de Ribemont një  
shumë të përgjithshme prej 2 milion franga franceze.  
B.  
Garancia  
63.  
Kërkuesi kërkon gjithashtu prej Gjykatës që të vendosë se shteti duhet ta  
garantojë nga çdo masë ekzekutimi të vendimit të gjykatës së instancës së lartë të Parisit  
të 14 marsit 1979 ose, në rst të mos dhënies së kësaj garancie, ta lëjojë atë të kërkojë një  
rritje të shumës së dëmshpërblimit të drejtë.  
64.  
Delegati i Komisionit nuk shprehet për këtë pikë.  
65. Gjykata bashkohet me Qeverinë dhe thekson se Neni 50 nuk i jep kompetencë t'i japë  
një urdhër të tillë një Shteti Kontraktues (shih mutatis mutandis, vendimet Idrocalce s.r.l.  
kundër Italisë, dt.27 shkurt 1992, seria A, nr.229-F, f.65, §26, dhe Pelladoah kundër  
Holandës, dt. 22 shtator 1924, seria A, nr.297-B, f.35-36, §34). Ajo mendon se çështja e  
një dëmshpërblimi të drejtë është pjekur për vendim.  
C
Shpenzimet  
66.  
Më në fund z. Allenet de Ribemont kërkoi 270,384.28 franga franceze për  
shpenzime të ndryshme që ka bërë pranë institucioneve të Konventës, të ndara si më  
poshtë: 211,500 franga franceze si tarfia, 16,480 franga franceze si shpenzime dhe 42,404  
franga franceze si tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH).  
67.  
Qeveria dhe Delegati i Komisionit ia lanë këtë çështje vlerësimit të Gjykatës.  
Duke vendosur me drejtësi, Gjykata i jep kërkuesit 100,000 franga franceze plus  
68.  
TVSH.  
PER KETO ARSYE GJYKATA  
1.  
Vendos, me tetë vota pro dhe një kundër, se ka patur shkelje të Nenit 6 § 2 të  
Konventës;  
2.  
Vendos, njëzëri, se ka patur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës;  
3.  
Vendos, me tetë vota pro dhe një kundër, se shteti i thirrur si palë duhet t'i  
paguajë kërkuesit, brenda tre muajsh, shumën prej 2.000.000 (dy milion) frangash  
franceze si dëmshpërblim;  
4.  
Vendos, njëzëri, se Shteti i thirrur si palë duhet t'i derdhë kërkuesit, brenda tre  
muajsh, 100,000 franga franceze, plus TVSH, për shpenzimet e ndryshme;  
5.  
Hedh poshtë, njëzëri, pjesën tjetër të kërkesës për dëmshpërblim të drejtë.  
Hartuar në Frëngjisht dhe Anglisht dhe shpallur në seancën publike në Selinë e të  
Drejtave të Njeriut në Strasburg në 10 shkurt 1995.  
Rolf Ryssdal  
Kryetar  
Herbert Petzold  
Sekretar  
Në përputhje me Nenin 51 § 2 të Konventës dhe Rregullin 53 § 2 të Rregullores së  
Gjykatës këtij vendimi i bashkangjitet mendimi pjesërisht në pakicë i zotit Mifsud  
Bonici.  
R.R.  
H.P.  
MENDIMI PJESËRISHT NË PAKICË I I GJYQATRIT MIFSUD BONICI.  
1.  
Bashkohem me mendimin e shumicës se ka patur shkelje të Nenit 6 § 1 të  
Konventës dhe se një shumë prej 100,000 frangash franceze, plus TVSH, duhet t'i  
derdhet kërkuesit për shpenzimet e ndryshme.  
2.  
Megjithatë, nuk jam dakord me konstatimin se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 2 të  
Konventës.  
Në fakt, ky vendim pohon për herë të parë se e drejta themelore që thotë se "çdo person i  
akuzuar për një vepër penale do të prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet  
në bazë të ligjit"- "mund të shkelet jo vetëm nga një gjyqtar ose gjykatë, por edhe nga  
autoritete të tjera publike" (paragrafi 36). Ky është parimi kryesor që pohon ky vendim.  
3.  
Në paragrafin pararendës 35 thuhet :" Gjykata ripohon se Konventa duhet të  
interpretohet në mënyrë të tillë që të garantojë të drejta konkrete dhe efektive dhe jo  
teorike e iluzore".  
4.  
Kundërshtimi im niset nga ideja se një interpretim i tillë i zgjeruar i prezumimit  
të pafajësisë nuk shoqërohet me garanci konkrete dhe efektive. Në të vërtetë kur shkelja  
kryhet nga autoritetet publike përpara gjykimit të të akuzuarit, nuk ekziston asnjë mjet  
konkret ose efektiv për ta vënë në vënd menjëherë shkeljen e bërë. Në rastin tonë,  
Gjykata konstaton një shkelje që i përket vitit 1976 dhe ajo mund të japë një  
dëmshpërblim financiar. Por është e qartë se ky nuk është një reparacion konkret ose  
efektiv i tillë që mund të zbatohet në një mënyrë të kënaqshme në rast të një shkeljeje që  
është konstatuar përpara se të nisë proçesi.  
5.  
Për ta ilustruar këtë vështirësi, unë do t'i referohem një çështje që ka ndodhur në  
Maltë.  
Më 13 prill 1972 një bombë shpërtheu mbi çatinë e një shtëpie dhe Giusepina Formosa,  
një familjare që banonte në këtë godinë u vra e copëtuar.  
Më 28 prill 1972 Komisari i Policisë, Drejtori i Trupave të Policisë, të shoqëruar nga 4  
agjentë të tij, dhanë një konferencë shtypi. Në këtë konferencë u fol për problemin e  
përgjithshëm të kriminalitetit, për gjendjen e forcave të policisë dhe çështje të tjera të  
kësaj natyre, dhe pas kësaj komisari shtoi se lloji i hetimit i bërë lidhur me çështjen e  
bombës kishte pasur rezultat sepse Emmnuel Formosa, i shoqi i viktimës, pohoi fajin, se  
ai do të akuzohej të nesërmen nga hetuesit dhe se kishte kërkuar mbrojtjen e policisë nga  
frika e ndonjë kundërveprimi të vëllezërve të të shoqes.  
6.  
Formosa paraqiti një kërkesë përpara gjykatës civile duke pretenduar, ndërmjet të  
tjerave, se ishte shkelur e drejta themelore që i garanton Kushtetuta Malteze (Neni 39 §  
5): "Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm derisa të provohet  
fajësia e tij ose derisa ai të pohojë fajësinë".  
Gjykata e shqyrtoi menjëherë kërkesën dhe e hodhi poshtë më 5 maj 1972. Pas ankimit,  
Gjykata Kushtetuese la në fuqi më 16 prill 1973 vendimin e parë (DEC.KOST. 1964-  
1978 GH.ST.LIGI, f.343). Formosa, pas kësaj, u gjykua dhe u shpall fajtor më 13 korrik  
1973 për vrasjen e gruas së tij.  
7.  
Këto fakte kanë shumë ngjashmëri me ato të çështjes së tanishme. Ndryshimi  
qëndron në faktin se, në çështjen malteze, çështja u gjykua dhe u vendos përpara se të  
zhvillohej proçesi penal, ndërsa në rastin tonë Gjykata e trajtoi atë pasi ishtë thënë e bërë  
çdo gjë.  
8.  
Arsyet e përdorura nga gjykatat malteze për të përfunduar se nuk ka patur shkelje  
nuk janë bindëse. Në fakt, gjyqtarët nuk kanë parë çështjen nëse garancia mbulon vetëm  
masat e mara nga gjyqtari apo ajo shtrihet edhe në aktet e autoriteteve të tjera publike .  
Por së këtejmi del qartë se, në qoftë se pranohet shtrirja e këtij parimi-gjë që thotë  
vendimi i tanishëm- gjykata nuk disponon asnjë mjet efektiv dhe konkret për të vënë në  
vënd një shkelje përpara proçesit penal, kur në të drejtën e brëndshme mekanizmi  
kushtetues parashikon se çështja që ka të bëjë me këtë shkelje mund të gjykohet dhe të  
vendoset përpara proçesit dhe jo pas tij.  
9.  
Përderisa gjykata vendos një parim kaq të rëndësishëm- një parim që mund të ketë  
pasoja serioze në të drejtën e proçedurës penale në Shtete të ndryshme Konraktuese - por  
nuk trajton problemin e ndreqjes konkrete dhe efektive të shkeljes së konstatuar, unë nuk  
e quaj të mundur që të bashkohem me shumicën në këtë pikë.