VAN DER  
M
USSELE kundër  
(kërkesa nr. 8919/80)  
BELGJIKËS  
23 nëntor 1983  
ushtrimi i profesionit për periudha të caktuara pa shpërblim mund të mos përbëjë  
punë të detyruar në prani të kritereve të qarta paraprake profesionale  
I. Faktet kryesore  
1. Kërkuesi, Eric Van der Mussele, shtetas belg i lindur më 1952 punon avokat në  
Anversë. Ndërsa i ishte ende asistent avokat ë 31 korrik 1979, ai caktohet nga zyra e  
këshillimit dhe mbrojtjes e Dhomës së Avokatisë së Anversës, që të mbronte  
kryesisht Z. Ebrima, nga Gambia. Ky i fundit ishte dënuar në shkallë të parë dhe në  
apel por në vijim të një kërkese drejtuar Ministrit të Drejtësisë nga mbrojtja lihet i lirë  
më 17 dhjetor 1979. Të nesërmen zyra e këshillimit dhe mbrojtjes e vë në dijeni Z.  
Van der Mussele që ai nuk do të merret më me këtë dosje dhe se gjendja financiare e  
të akuzuarit bënte të pamundur që të merrte honorar dhe t'i paguheshin shpenzimet  
gjyqësore.  
2. Z. Van der Mussele iu drejtua Komisionit më 7 mars 1980. Ai pretendonte se  
shërbimi i tij kryesisht në mbrojtje të Z. Ebrima përbënte “punë të detyruar ose me  
dhunë” që vinte në kundërshtim me nenin 4 § 2 të Konventës si dhe cenim të  
pasurive të tij, që vinte në kundërshtim me nenin 1 të Protokollit 1. Në vijim ai  
ankohej për një diskriminim ndërmjet profesionit të avokatit në raport me  
profesionet e tjera, i cili sipas tij shkelte nenin 14 të Konventës të marrë së bashku me  
nenin 4 § 1 të saj. Me shumica mjaft të ngushta, sidomos në lidhje me nenin 14 ku  
vendosi vota e Kryetarit, në raportin e tij të 3 marsit 1982 Komisioni arriti në  
përfundimin se nuk ka pasur shkelje të asnjërit prej këtyre neneve.  
II. Vendimi i Gjykatës  
A. Në lidhje me pretendimin paraprak  
3. Belgjika ngrinte një pretendim paraprak duke argumentuar se detyrimi për  
ndihmë ligjore falas nga një avokat në çështjet penale bazohej në nenin 6 § 3 c)  
ndërkohë që për çështjet civile ai synon të përmbushë objektivat e paragrafit 1 të të  
njëjtit nen. Është e natyrshme, përgjigjet Gjykata, që shteti belg të marrë masat për të  
respektuar këto detyrime por kjo nuk do të thoshte që a priori autoritetet belge të mos  
respektojnë detyrimet e tjera që iu takojnë në bazë të Konventës.  
B. Në lidhje me nenin 4 § 1  
4. Para së gjithash Gjykata detyrohet të theksojë se teksti i dispozitës së nenit 4 nuk  
shpjegon se çfarë kupton me “punë me dhunë ose me detyrim”. Për këtë arsye ajo iu  
referua Konventave 29 dhe 105 të Organizatës Botërore të Punës, në të cilat ishin  
anëtare pothuajse të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë edhe  
Belgjikën. Sipas nenit 2 § 1 të Konventës 29, shprehja “punë me dhunë ose me  
detyrim” kupton “çdo punë ose shërbim që i kërkohet një individi nën kërcënimin e  
ndonjë dënimi dhe për të cilën ai individ nuk është ofruar me dëshirën e tij të lirë”.  
Pasur parasysh se në rastin e Z. Van der Mussele nuk kishte të bënte me shtrëngim  
fizik ose moral Gjykata vlerësoi se shërbimet e tij nuk mund të konsideroheshin si  
punë me dhunë sipas kuptimit të nenit 4. Për këtë arsye ajo kaloi në vlerësimin nëse  
kishte të bënte me punë me detyrim. Sipas Gjykatës rreziqet me të cilat përballej Z.  
Van der Mussele në rastin e një refuzimi përbënin vërtet kërcënimin e një dënimi.  
Duke mos e vlerësuar si përcaktues argumentin e përdorur nga qeveria belge dhe  
Komisioni – pëlqimin e dhënë nga vetë kërkuesi në momentin që ai kishte zgjedhur  
profesionin e avokatit, Gjykata e çmon të nevojshëm vlerësimin e tërësisë së  
rrethanave të çështjes nën dritën e interesave që luajnë rol në kuadrin e nenit 4 si  
karakteri normal i shërbimit, interesi i përgjithshëm dhe solidariteti social.  
5. Shërbimet që Z. Van der Mussele duhet të ushtronte nuk dilnin jashtë kuadrit të  
aktiviteteve normale të një avokati. Nga ana tjetër ato baraspeshoheshin me përfitime  
të lidhura me profesionin e avokatit si monopoli profesional i mbrojtjes dhe  
përfaqësimit në gjykatë dhe ndihmonin në formimin profesional të Z. Van der  
Mussele. Për më tepër ky detyrim, duke ndihmuar në garantimin e të drejtave të Z.  
Ebrima në kuadrin e nenit 6 § 3 (d) të Konventës, dukej se përfshihej në “detyrimet  
normale qytetare” të përmendura në nenin 4 § 3 (d). Gjykata vlerësoi gjithashtu se  
kërkuesit nuk i ishte ngarkuar një barrë e tepërt në lidhje me mbrojtjen kryesisht  
duke pasur parasysh se e kishte ofruar këtë shërbim vetëm në lidhje me 50 çështje  
gjatë tre vjetëve të stazhit.  
6. Gjykata vuri re se kërkuesi nuk ankohej ndaj detyrimit në parim por ndaj dy  
aspekteve të ekzekutimit të tij që ishin mungesa e honorarit dhe mosrimbursimi i  
shpenzimeve. Në këtë drejtim Gjykata vlerësoi se nuk kishte një barrë të tepërt dhe të  
paarsyeshme pasi kjo barrë baraspeshohej me pranimin në dhomën e avokatëve. Në  
këto kushte, duke pasur parasysh se nuk kishte të bënte me një rast të punës së  
detyruar Gjykata me unanimitet vendosi se nuk kishte shkelje të nenit 4 të  
Konventës.  
C. Në lidhje me nenin 14 të marrë së bashku me nenin 4  
7. Z. Van der Mussele pretendonte se profesioni i avokatit në një rast të tillë  
diskriminohej në raport me profesione të tjera. Duke interpretuar se neni 14 ndalon  
diskriminimin në trajtim të personave që ndodhen në situata të ngjashme ose të  
përafërta dhe duke marrë si bazë krahasimi profesionin, Gjykata arrin në  
përfundimin se nuk ka pasur shkelje të nenit 14 të marrë së bashku me nenin 4. kjo  
për shkak se situata e profesionit të avokatit nuk ishte e ngjashme me atë të gjyqtarit,  
funksionarit publik, mjekëve, dentistëve, etj.  
D. Në lidhje me nenin 1 të Protokollit 1  
8. Duhet pasur parasysh se neni 1 i Protokollit 1 të Konventës garanton të drejtën e  
pasurive reale aktuale. Në këto kushte përsa i përket shpërblimit të Z. Van der  
Mussele, situata ekonomike e Z. Ebrima nuk e lejonte lindjen e një të drejte pasurore.  
Problemi shtrohej ndryshe në lidhje me shpenzimet. Kjo për arsye se Z. Van der  
Mussele kishte qenë i detyruar që të paguante disa shpenzime nga të ardhurat e veta.  
Megjithatë Gjykata vlerësoi se ato ishin fare të ulëta dhe përbënin një pasojë të një  
detyrimi për të realizuar një punë që ishte në përputhje me nenin 4 të Konventës.  
III. Koment  
9. Ky vendim përbën ende përpunimin më të rëndësishëm jurisprudencial të  
realizuar në Strasburg në lidhje me nenin 4 të Konventës. Vendimi jo vetëm që  
shpjegon thelbin e nenit 4, por edhe mënyrën sesi paragrafët e tij mund të  
interpretohen në një mënyrë kontekstuale – në marrëdhënie me njëri tjetrin. Nga ana  
tjetër vendimi sqaron konceptet që ky nen përfshin si edhe mënyrën e kuptimit dhe  
të interpretimit të tyre. Ai sqaron në mënyrë të veçantë konceptet e ‘punës’, të  
‘detyrimit’ dhe ‘dhunës’ në lidhje me punën. Është interesant fakti që Gjykata për  
sqarimin e këtyre termave i referohet Konventave të ONP, nr. 29 “Mbi punën e  
detyruar” të vitit 1930 dhe atë që e plotëson, me nr. 105 “Mbi eliminimin e punës së  
detyruar” të vitit 1957. Ky është i shpjegueshëm si fakt po të kihet parasysh se neni 4  
i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në momentin e formulimit ka mbajtur  
parasysh pikërisht Konventën nr. 29.  
10. Me rëndësi të veçantë është të theksohet fakti se në këtë vendim, në lidhje me një  
të drejtë që ka karakter absolut dhe që është e paderogueshme, Gjykata zbaton  
parimin e proporcionalitetit. Pretendimeve të qeverisë belge në lidhje me faktin se  
Van der Mussele e kishte zgjedhur vetë profesionin e avokatit, i cili përfshinte edhe  
detyrimin e shërbimit pa shpërblim sipas rregullave të parashikuara nga vetë Dhoma  
e Avokatëve, Gjykata nuk i kushton një rëndësi vendimtare. Më i rëndësishëm në  
sytë e Gjykatës duket fakti se profesioni i avokatit, në shkëmbim të këtyre  
detyrimeve për shpërblim pa pagesë, i përgjigjen disa përfitime të tjera specifike,  
përfshirë të drejtën ekskluzive për përfaqësim në gjykatë, të faktit që ky shërbim e  
ndihmonte për t'u përgatitur dhe pranuar në Dhomën e Avokatisë. Nga ana tjetër  
Gjykata theksoi se ky shërbim kontribuonte të realizimin e një të drejte të garantuar  
nga neni 6 § 1 (c) i Konventës dhe se mund të konsiderohej se përfshihej në detyrimet  
normale civile1.  
1 Në lidhje me këtë element të fundit shih gjithashtu çështjen Iversen kundër Norvegjisë.